Sigurimi nga sëmundjet dhe aksidentet

Kush banon në Zvicër, duhet të ketë një sigurim nga aksidentet dhe një sigurim nga sëmundjet. Këto sigurime private i heqin shpenzimet në rast aksidenti, sëmundje apo shtatzënie. Për të dy sigurimet duhet të lidhet kontrata brenda tre muajve të parë pas ardhjes në Zvicër.

Sigurimi shëndetësor me përkujdesje (sigurimi bazë)

Të gjitha banoret dhe banorët në Zvicër duhet të lidhin vetë me patjetër një sigurim shëndetësor (sigurim bazë, Grundversicherung). Kush vendoset në Zvicër, ka tre muaj kohë për ta bërë. Nëse dikush sëmuret në këtë kohë, shpenzimet e shkaktuara merren përsipër edhe me prapaveprim. Sigurimi bazë ofrohet prej shumë kompanive private të sigurimeve shëndetësore (Krankenkassen). Zgjedhja e një kompanie sigurimesh shëndetësore është e lirë. Kompanitë e sigurimeve shëndetësore duhet t`i marrin të gjithë personat, që jetojnë në Zvicër.

Të siguruarit paguajnë një një prim mujor. Në varësi të kompanisë së sigurimeve shëndetësore dhe të modelit të sigurimit, këto prime kanë lartësi të ndryshme; prandaj ia vlen të krahasohen ofertat. Ju mund ta ndërroni kompaninë e sigurimeve shëndetësore deri në fund të nëntorit për vitin e ardhshëm. Sigurimi bazë nuk i heq vetëm shpenzimet, kur dikush sëmuret, ai paguan edhe në shtatzëni dhe në lindje. Shërbimet janë të rregulluara me ligj.

Kujdes: Shpenzimet për mjekimin e dhëmbëve apo syzet normalisht duhet të paguhen vetë ose nëpërmjet një sigurimi suplementar vullnetar.

Sigurimi nga aksidentet

Të punësuarit janë të siguruar automatikisht përmes punëdhënësit nga aksidentet gjatë punës dhe në kohën e lirë, nëse punojnë më shumë se 8 orë në javë. Kush punon më pak, nuk është siguruar nga aksidentet në kohën e lirë dhe duhet të kujdeset vetë për një sigurim nga aksidentet. Kjo vlen edhe për të vetëpunësuarit dhe të gjithë personat, që nuk janë në marrëdhënie pune. Personat, që nuk janë në marrëdhënie pune, duhet të lidhin një kontratë sigurimi nga aksidentet pranë kompanisë së tyre të sigurimit shëndetësor. Të vetëpunësuarit mund të lidhin një kontratë sigurimi nga aksidentet edhe te kompani të tjera sigurimesh. Të siguruarit duhet të paguajnë prime mujore. Te të punësuarit, këto prime zbritet direkt nga paga.

Lirimi i primeve

Kush nuk është në gjendje financiare t'i paguajë primet e sigurimit shëndetësor, ka sipas rrethanave të drejtën për lirimin e primit (Prämienverbilligung) për sigurimin bazë. Për të marrë lirimin, personi duhet të parashtrojë një formular kërkese dhe të bëjë deklarata rreth pasurisë dhe të ardhurave. Kur kërkesa pranohet, aplikuesi paguan prime më të ulëta duke filluar nga muaji i ardhshëm. Enti për kontribute sociale (Amt für Sozialbeiträge) informon për lirimin e primit dhe e merr kërkesën.

Sigurime plotësuese për sigurimin bazë

Si shtesë për sigurimin e detyruar bazë mund të lidhen kontrata për sigurime të ndryshme plotësuese (Zusatzversicherungen). Këto i mbulojnë shërbimet, të cilat nuk paguhen nga sigurimi bazë, p.sh, mjekime dhëmbësh. Sigurimet plotësuese ofrohen po thuajse prej të gjitha kompanive të sigurimeve shëndetësore. Kompanitë e sigurimeve shëndetësore mund të vendosin vetë, a dëshirojnë të sigurojnë dikë apo jo, dhe ato mund të paraqesin kushte.