Të drejtat dhe detyrimet

Të punësuarit dhe punëdhënësit kanë të drejta dhe detyrime të ndryshme. Orari maksimal i punës, e drejta për pushime vjetore dhe sigurimi mbrojtës për shembull janë të rregulluara me ligj.

Kontrata e punës

Në rastin normal kontratat e punës bëhen me shkrim. Mirëpo edhe kontratat me gojë janë të vlefshme. Vlejnë dispozitat ligjore të së drejtës obligative (Obligationenrecht). Në të përcaktohen standardet minimale. Prandaj edhe personat pa kontratë shkrimore pune kanë të drejta të ndryshme, mirëpo dhe detyrime.

Të drejtat e punëmarrësve

Punëmarrësit kanë të drejta të ndryshme ligjore në Zvicër. Nga më të rëndësishmet janë:

  • Punëdhënësit janë të detyruar t'i lajmërojnë të punësuarit e vet te sigurimet sociale, të lidhin për ta një kontratë sigurimi për aksidente dhe të paguajnë një pjesë të kontributeve.
  • Të gjithë të punësuarit kanë të drejtë për të paktën katër javë pushim me pagesë. Kjo vlen përpjestimisht edhe për personat, që janë të punësuar me rrogë për orë apo me kohë të pjesshme.
  • Koha më e lartë e lejuar për punë përmban 50 orë në javë. Në disa fusha lejohen vetëm 45 orë.
  • Të punësuarit kanë të drejtë për një dëftesë pune me shkrim.
  • Kush sëmuret apo ka pasur një aksident dhe që ka punuar për më shumë se tre muaj në firmë, ka të drejtën për vazhdimin e marrjes të rrogës për një kohë të caktuar.
  • Gratë shtatzëna dhe gratë, që kanë lindur një fëmijë, kanë të drejta të posaçme (leje lindjeje, Mutterschutz).
  • Sipas ligjit të barazimit (Gleichstellungsgesetz) është e ndaluar, që dikush të diskriminohet në punë për shkak të gjinisë.

Rroga

Në kantonin Basel-Stadt ekziston një rrogë minimale e përcaktuar me ligj. Me disa përjashtime, kjo vlen për të gjitha punëdhënëse dhe punëdhënës në kanton. Veç kësaj, shumë fusha ekonomike kanë një kontratë pune të përbashkët (Gesamtarbeitsvertrag, GAV), në të cilën janë përcaktuar rroga minimale. Gratë dhe burrat kanë të drejtë për rroga të njëjta për punë të njëjtë. Në kontratë është e vendosur shuma e rrogës bruto. Sado, si pagesë merret rroga neto, pasi të jenë zbritur tashme shumat për sigurime sociale (zbritje sociale, Sozialabzüge). Te shumica e personave me leje qëndrimi B, me letërnjoftim F apo N, leje të shkurtër qëndrimi L ose me leje kalimi i kufirit G, zbriten gjithashtu drejtpërsëdrejti tatimet e vjela në burim (Quellensteuer). Kontributet për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor nuk janë pjesë e zbritjeve të pagave në Zvicër.

Prishja e kontratës së punës

Në rastin e largimit nga puna, punëdhënësit dhe punëmarrësit duhet t'i respektojnë afatet për prishjen e kontratës së punës, të cilat janë pjesë e rregullave të kontratës. Largimi i menjëhershëm nga puna lejohet vetëm në raste përjashtuese. Punonjësi mund të kërkojë gjithmonë një arsyetim me shkrim për largimin nga puna. Kush është i sëmurë, ka pasur një aksident, është shtatzëne ose ka lindur një fëmijë, mbrohet posaçërisht nga largimi prej punës. Largime nga puna në formë keqtrajtimi mund të kontestohen para gjykatës. Nëse punëmarrësi vetë largohet nga puna, ky hap mund të ndikojë në lartësinë e mbështetjes prej sigurimit për të papunët.