Qasja në tregun e punës

Varet nga nënshtetësia dhe nga arsyeja e shpërnguljes në Zvicër, nëse dikush lejohet të punojë në Zvicër apo të themelojë një ndërmarrje. Në çdo rast, punëtorët duhet të lajmërohen te sigurimet sociale dhe të paguajnë tatime.

Leja e punës

Pyetja për lejen e punës zakonisht sqarohet njëkohësisht me dhënien e lejes së qëndrimit. Në rastin normal, personat me një të drejtë qëndrimi në Zvicër edhe lejohen të punojnë. Në varësi të nënshtetësisë dhe kohëzgjatjes së punës, kërkesën për leje pune e parashtron punëdhënësi apo punëtori. Nëse jeni të pasigurt, një prej zyrave të mëposhtme mund t'ju ndihmojë. Këto zyra këshillojnë edhe personat, të cilët ende nuk banojnë në Zvicër dhe duan të punojnë këtu. Refugjatëve të pranuar (letërnjoftimi B) dhe personave të pranuar përkohësisht me apo pa status refugjati (letërnjoftimi F) nuk iu nevojitet një leje e posaçme. Mirëpo, fillimi dhe mbarimi i çdo punësimi duhet të lajmërohen në kanton me një formular zyrtar (procedura e lajmërimit, Meldeverfahren). Përgjegjës është ai kanton, ku personi punon. Ky lajmërim është falas. Azilkërkuesit (letërnjoftimi N) kanë nevojë për një lejë.

Ndërmarrja personale

Nëse dikush mund të themelojë një ndërmarrje të veten në Zvicër, kjo varet prej nënshtetësisë dhe nga statusi i qëndrimit. Për personat nga vendet e BE-së/EFTA dhe për personat me leje për vendqëndrim pa kufizim C, themelimi i një ndërmarrjeje është më i lehtë. Zyra për migrimin (Migrationsamt) informon migrantet dhe migrantët, nëse themelimi i një ndërmarrjeje është i mundur. Zyra mbështetëse e kantonit për vendqëndrime ndërmarrjesh (Standortförderung) jep mbështetje gjatë zbatimit praktik.

Puna në të zezë

Kush punon dhe nuk është i lajmëruar te sigurimet sociale, nuk ka leje pune apo nuk i deklaron të ardhurat për tatim, mund të dënohet. Kjo quhet puna në të zezë (Schwarzarbeit). Puna në të zezë ka pasoja ligjore si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin. Përveç kësaj punëtorët nuk janë të siguruar kundër aksidenteve dhe nuk kontribuojnë për pensionin e pleqërisë. Kush beson, se punëdhënësi t tij e trajton jo korrekt, bën mirë të shkojë në një këshillimore juridike falas (Rechtsberatungsstelle).

Të rinjtë

Parimisht, të rinjtë lejohen të punojnë së pari, kur mbushin 15 vjet. Sado, punë të lehta me kohëzgjatje të vogël (p.sh. punë gjatë pushimeve) janë të lejuara. Prindërit dhe punëdhënësit janë të detyruar të kujdesen, që të rinjtë të mos mbingarkohen. Për të rinjtë deri në moshën 18-vjeçare vlejnë të drejta të posaçme në punë.