Vetura / motoçikleta

Në Zvicër rrjeti i rrugëve është ndërtuar mirë. Shfrytëzimi i shumicës së rrugëve është pa taksa. Rregullat e komunikacionit rrugor kanë një rëndësi të madhe. Nëse nuk respektohen, gjobitjet janë e larta.

Rregullat e komunikacionit rrugor

Rregullat e komunikacionit rrugor kanë një rëndësi të madhe për ngasëset dhe ngasësit e veturave në Zvicër. Gjobitjet janë shumë të larta në krahasim me vendet e tjera. Shkelje të rënda të rregullave mund të çojnë deri te heqja e lejes së drejtimit.

Disa rregulla të rëndësishme:

  • Shpejtësia më e madhe e lejuar brenda zonave të banuara: 50 km/h; jashtë zonave të banuara: 80 km/h, autostrada: 120 km/h
  • Në autostradë parakalimi në korsi të djathtë është i ndaluar
  • Dritat duhet të jenë të ndezura edhe gjatë ditës
  • Të gjithë personat në veturë duhet të vendosin rripin e sigurimit
  • Fëmijët duhet të ulen në një ulëse sigurie për fëmijë (deri në 12 vjeç apo një gjatësi prej 150 centimetrash)
  • Gjatë ngasjes telefonimi lejohet vetëm me sistemin Bluetooth pa duar
  • Ngasja nën ndikimin e alkoolit apo të drogës është shkelje ligji dhe dënohet (kufiri promil 0.5)
  • Këmbësoret dhe këmbësorët në vendkalimin për këmbësor kanë gjithmonë përparësi (përveç nëse kalimi rregullohet përmes një semafori)

Taksat për rrugët

Rrugët financohen prej konfederatës, kantoneve dhe komunave. Shfrytëzimi i rrugëve është pa taksa. Përjashtim bëjnë autostradat: Kush dëshiron t'i shfrytëzojë autostradat, duhet të blejë çdo vit një biletë me taksë autostrade (Vignette). Kjo ngjitet në xhamin e parëm të veturës. Biletat me taksë autostrade mund të blihen në pikat e karburantit, te posta apo në zyrat për komunikacion rrugor.

Sigurimi

Në Zvicër lejohen të përdoren vetëm automjetet, të cilat janë të siguruara. Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta për mjete motorike (Motorfahrzeug-Haftpflichtversicherung) ofrohet nga kompani të ndryshme private të sigurimeve. Sigurimi paguan për dëme materiale dhe dëme në persona, të cilat shkaktohen me automjetin. Për dëmet në veturën e vet ka sigurime të ndryshme shtesë Kasko, që janë vullnetare (Kaskoversicherungen). Kujdes: Nëse dikush sillet me pakujdesi të rënde, sigurimi në varësi të rrethanave mund të mos paguajë (për shembull ngasja nën ndikim të alkoolit apo drogës). Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta për mjete motorike nuk është integruar në sigurimin privat të përgjegjësisë ndaj palëve të treta.

Importi i një mjeti motorik

Kush dëshiron të importojë një mjet motorik afatgjatë në Zvicër, duhet ta lajmërojë për zhdoganim në autoritetin doganor. Automjeti duhet të kontrollohet edhe teknikisht. Nevojitet një sigurim të përgjegjësisë ndaj palëve të treta për mjete motorike, një patentë zvicerane të shoferit dhe tabela me targa të Zvicrës. Informacione më të detajuara mund të merren nga zyra e inspektimit të mjeteve motorike në Basel-Stadt (Motorfahrzeugkontrolle).

Carsharing

Carsharing do të thotë, që disa persona shfrytëzojnë një ose disa makina bashkërisht. Automjetet e një organizate Carsharing zakonisht janë në hapësira parkimi të marrë fiks me qira dhe rezervohen paraprakisht onlajn ose me një aplikacion. Vendndodhjet janë shpesh në qendrat e transportit publik (p.sh. stacionet e trenit, kryqëzimet e tramvajit, stacionet fundore të linjave të autobusëve). Në ndryshim nga marrja me qira e makinave, shfrytëzimi i automjetit është gjithashtu i mundur për një kohë të shkurtër, p.sh. me orë.