Numrat e shërbimeve të emergjencës

Numrat e shërbimeve të emergjencës janë në dispozicion çdo ditë për 24 orë. Numrat e shkurtra (3 shifra) janë çdo herë falas. Për numrat e tjerë normalisht duhet të paguhet tarifa normale për telefonim.

Numri i përgjithshëm i shërbimeve të emergjencës: 112

Me këtë numër mund të kontaktohet qendra e policisë për telefonata emergjente. Sipas llojit të emergjencës policia informon edhe zyra të tjera (p.sh. shërbimi zjarrfikës).

Policia: 117

Me këtë numër mund të kontaktohet qendra e policisë për telefonata emergjente.

Shërbimi Zjarrfikësit: 118

Me këtë numër mund të kontaktohet qendra e ndërhyrjes së zjarrfikësve.

Ndihma e parë / shërbimi i shpëtimit: 144

Me këtë numër mund të kontaktohet qendra e ndërhyrjes së shërbimit të shpëtimit.

Numri 144 duhet të thirret vetëm, kur nevojitet menjëherë ndihmë dhe transport me ambulancë ose kur dikush nuk është në gjendje ta vlerësojë situatën (p.sh. pas një aksidenti).

Te problemet e tjera mjekësore fillimisht duhet të kontaktohet një mjek familjar / një mjeke familjare. Jashtë orarit të ordinancave familjare, në situata jo-kërcënuese për jetën, mund të telefononi edhe në çdo kohë Qendrën e thirrjeve të urgjencës mjekësore (Medizinische Notrufzentrale, MNZ) në 061 261 15 15. Aty merren këshilla mjekësore dhe drejtimi për vendin e duhur më të afërt (mjek, spital). Është gjithashtu e mundur që të shkoni vetë në një stacion emergjent (spital/ordinancë emergjence).

Farmaci/barnatore emergjente: 061 263 75 75

Me këtë numër mund të merret farmacia/barnatorja emergjente (Notfallapotheke) në Basel-Stadt. Farmacia/barnatorja emergjente në adresën Petersgraben 3 është e hapur gjithmonë edhe natën dhe në fundjavë, kështu që edhe në emergjenca mund të merren medikamente.

Dentisti për shërbime emergjente: 061 261 15 15

Në rastin e një aksidenti dentar, merrni menjëherë dentisten ose dentistin tuaj në telefon. Jashtë orareve drejtohuni Qendrës së thirrjeve të urgjencës mjekësore (MNZ) në 061 261 15 15. Në këtë numër jepet informacioni, cili dentist apo dentiste është në dispozicion për shërbim emergjent në kantonin Basel-Stadt.

Thirrja në emergjencë helmimi: 145

Nëse dikush ka gëlltitur diçka helmuese apo supozon, që ka gëlltitur diçka helmuese, ju ndihmojnë mjekët dhe specialistët në këtë numër. Ata shpjegojnë çka duhet të bëni në një rast helmimi. Sado nëse gjendja kërcënon jetën, duhet të thirret menjëherë numri 144. Në faqen e internetit gjeni informacione të shumta për temën helm/helmim.

Këshillim për të rriturit: 143

"Telefoni 143" (Dora e Zgjatur, Dargebotene Hand) është për persona, të cilët dëshirojnë të flasin me dike për problemet e tyre, pavarësisht nga për lloji i problemit (në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht). Mund të telefonohet edhe në situata krizash, por edhe në të gjitha vështirësitë dhe brengat e tjera. Biseda mbahet sekret dhe është anonime. Sipas dëshirës jepen gjithashtu informacione për oferta të tjera të përshtatshme ndihme. Edhe kontaktimi me e-mail ose chat është i mundur.

Këshillim për fëmijët / të rinjtë: 147

"Telefoni 147" është për fëmijë dhe të rinj, të cilët dëshirojnë të flasin me dikë për problemet e tyre të çfarë do lloji qofshin (në gjermanisht, frëngjisht, italisht). Mund të telefonohet në situata krize, mirëpo edhe në të gjitha vështirësitë dhe hallet e tjera. Për 24 orë në ditë personali i specializuar është në dispozicion. Biseda mbahet sekret dhe është anonime. Thirrja është falas dhe nuk figuron në faturën e telefonit. Kontaktimi është i mundur edhe me e-mail, SMS apo chat.

Thirrja emergjente për prindër: 0848 35 45 55

Te thirrja emergjente për prindër (Elternnotruf) specialistët këshillojnë prindër apo persona të tjerë në lidhje me pyetje për edukimin. Ata ndihmojnë, kur dikush është i brengosur apo i mbingarkuar në jetën me fëmijët ose shqetësohet për fëmijën e tij apo një fëmijë tjetër. Mund t'i drejtohesh edhe thirrjes emergjente për prindër, kur je i shqetësuar, që fëmija yt apo një fëmijë tjetër është viktimë e një keqtrajtimi psikik/fizik. Biseda mbahet sekret dhe sipas dëshirës është anonime. Edhe kontakti me e-mail është i mundur. Për pyetjet mjekësore ky numër nuk mund të ndihmojë.

Dhuna në familje (gratë): 061 681 66 33

Strehimorja e grave (Frauenhaus) e të dy Bazeleve ofron çdo ditë për 24 orë këshilla dhe mbështetje për gra, të cilat janë prekur nga dhuna në familje. Edhe të afërmit dhe njerëzit specialist mund t'i drejtohen kësaj strehimoreje. Biseda mbahet sekret dhe sipas dëshirës është anonime. Informacione të hollësishme për temën Dhuna në familje, edhe për burrat e prekur, si dhe datat e kontaktit të zyrave dhe këshillimoreve të tjera i gjeni në kapitullin Dhuna në familje në hallo-baselstadt.ch.